Në Bruksel u zhvillua Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), konferenca mirëpriti raportin e Komisionit Evropian për Piketat e Ndërmjetme, ku vlerësohet se Shqipëria ka arritur progres të mjaftueshëm në Grupkapitullin 1 “Themeloret”.
Po ashtu, u miratua edhe pozicioni i përbashkët i Bashkimit Evropian për kalimin drejt fazës së mbylljes së këtij grupkapitulli.
MEPJ e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm dhe pozitiv, që reflekton progresin e qëndrueshëm të reformave në vend, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, drejtësisë, qeverisjes demokratike, sigurisë dhe të drejtave themelore.
Megjithatë, ministria thekson se faza e ardhshme e negociatave do të jetë më kërkuese dhe do të kërkojë përshpejtim të reformave, koordinim më të ngushtë ndërinstitucional dhe zbatim të plotë të angazhimeve të marra.
Sipas MEPJ-së, ky zhvillim forcon rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe e afron vendin me objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.









