Bashkimi Evropian tha se po e ndjek me kujdes rastin e ndalimit të shtatë drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë. Drejtorët u ndaluan nën dyshimet se kanë ndikuar në vullnetin e lirë të votuesve.
Një zëdhënës i BE-së tha se Misioni për Sundim të Ligjit i bllokut në Kosovë (EULEX) po e monitoron rastin në terren.
“Ne presim që autoritetet e Kosovës të respektojnë dhe të sigurojnë një proces të drejtë ligjor gjatë gjithë procedurës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Kjo nënkupton po ashtu se çdo vendim për paraburgim duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional”, thuhet në përgjigjen e BE-së.









