HAXHIU ME KONGRESISTËT AMERIKANË: NATO-ja, SIGURI AFATGJATË PËR KOSOVËN

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e saj historike dhe politike.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, theksoi ajo.

Ajo falënderoi kongresistin Self për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se ky integrim është i rëndësishëm për sigurinë afatgjatë dhe paqen rajonale.

Po ashtu, Haxhiu vlerësoi edhe praninë e kongresistit Subramanyam, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi dhe inovacioni.

Në takim u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me SHBA-të në fusha kyçe si siguria, mbrojtja, ekonomia dhe integrimi euroatlantik, duke synuar forcimin e rolit të saj si partnere e besueshme në skenën ndërkombëtare.

SHARE