Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillojnë sot në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, një takim që konsiderohet i rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm të procesit integrues të vendit.
Konferenca pritet të konfirmojë përmbushjen nga Shqipëria të piketave të ndërmjetme në Grupkapitullin 1 “Themeloret”, si dhe të përcaktojë kushtet përmbyllëse për këtë grupkapitull kyç në negociata.
Takimi do të mbahet në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së dhe do të drejtohet nga zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna.
Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Grupkapitulli 1 përfshin fusha themelore si:
- gjyqësori dhe të drejtat themelore,
- drejtësia, liria dhe siguria,
- funksionimi i institucioneve demokratike,
- reforma në administratën publike,
- kriteret ekonomike,
- prokurimi publik,
- statistikat dhe kontrolli financiar.
Konferenca e 8-të shihet si një moment i rëndësishëm për ritmin e mëtejshëm të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pasi progresi në grupkapitullin “Themeloret” mbetet vendimtar për të gjithë procesin e anëtarësimit.









