MESAZHE URIMI PËR 20-VJETORIN E PAVARËSISË SË MALIT TË ZI

Foto: Komuna e Tuzit

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka uruar qytetarët me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit. Në urimin e tij, ai shprehu dëshirën që ky jubile të sjellë më shumë përparim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit. “Uroj që ky jubile i 20-vjetorit të Pavarësisë të sjellë më shumë përparim për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, thuhet në mesazhin e kryetarit. Ai gjithashtu nënvizoi se kjo datë obligon institucionet dhe shoqërinë që të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe avancimin e tij në rrugën drejt integrimit evropian. “Kjo datë na obligon të vazhdojmë të punojmë që Mali i Zi të mbetet i palëkundur në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian si vlerë themelore demokratike”, përfundon urimi i kryetarit të Komunës së Tuzit.

Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka uruar qytetarët me rastin e 21 Majit – Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi. Në mesazhin e tij, Gjeloshaj theksoi se kjo datë e rëndësishme obligon të gjithë për të vazhduar ndërtimin e një Mal të Zi të fortë, modern dhe ekonomikisht të qëndrueshëm. Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të ekonomisë, harmonisë multietnike, bashkëjetesës dhe vlerave evropiane, duke shtuar se prioritet mbetet nxitja e rritjes ekonomike, mbështetja e prodhimit vendor, hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i standardit të jetesës për qytetarët. Gjeloshaj u shpreh i bindur se me punë të përbashkët, Mali i Zi do të vazhdojë rrugën drejt së ardhmes evropiane dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj,  uroi 21 Majin – Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, duke theksuar se ky jubile, 20 vjet nga rivendosja e pavarësisë, përfaqëson një kujtesë të unitetit, vendosmërisë dhe vullnetit demokratik të qytetarëve. Ai theksoi se ky proces ishte shprehje e vullnetit dhe përgjegjësisë së përbashkët të të gjithë qytetarëve, si dhe se populli shqiptar dha një kontribut të rëndësishëm dhe të dallueshëm në rivendosjen e pavarësisë, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj bashkëjetesës multietnike, vlerave qytetare dhe rrugës evropiane të Malit të Zi. Nënkryetari Camaj theksoi se gjatë dy dekadave të fundit është arritur përparim i konsiderueshëm, por se përpara shoqërisë mbeten ende obligime për forcimin e mëtejshëm të institucioneve, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik, duke ruajtur besimin e ndërsjellë dhe barazinë e të gjitha komuniteteve. Ai porositi se është detyrë e të gjithëve që të ruajnë dhe avancojnë arritjet e pavarësisë, duke ndërtuar një shoqëri stabile dhe të drejtë për gjeneratat e ardhshme. Me këtë rast, ai u uroi të gjithë qytetarëve të Malit të Zi paqe, prosperitet dhe suksese.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, duke theksuar se 20-vjetori i pavarësisë përfaqëson konfirmim të vullnetit shtetëror, unitetit dhe përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm. Në mesazhin e tij, Dukaj vlerësoi se liria ruhet përmes dijes, punës dhe besimit në shtet, ndërsa nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta, drejtësisë, përgjegjësisë dhe besimit qytetar. Ai theksoi se vazhdon angazhimi për krijimin e një administrate publike moderne, efikase dhe transparente, në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit. Sipas Dukajt, synimi strategjik mbetet anëtarësimi i plotë i Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërtimi i institucioneve stabile dhe krijimi i kushteve që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.

SHARE