Kandidati për ambasador të SHBA në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbajtur fjalën e tij para Senatit amerikan, ku ka prezantuar prioritetet e tij nëse konfirmohet në detyrë.
Ai u shpreh i nderuar për nominimin dhe theksoi përvojën e tij shumëvjeçare në shërbimin ushtarak amerikan, përfshirë detyra në NATO dhe në Lindjen e Mesme.
Wendt tha se ka njohje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë përmes bashkëpunimit me forcat e saj speciale në kuadër të operacioneve të NATO-s dhe në Afganistan.
Ai vlerësoi Shqipërinë si një aleate të rëndësishme të SHBA-së dhe NATO-s dhe theksoi se, nëse konfirmohet, prioritet i tij kryesor do të jetë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së, duke përfshirë edhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Wendt paraqiti katër fusha kryesore të punës së tij: forcimin e sigurisë dhe luftës kundër krimit, rritjen e bashkëpunimit në mbrojtje dhe kibernetikë, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve amerikane në Shqipëri, si dhe përmirësimin e menaxhimit të brendshëm të ambasadës dhe kujdesit për personelin.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të Shqipërisë si partner strategjik dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh nëse konfirmohet në post.









