SINJALE POZITIVE NGA BRUKSELI PËR MIRATIMIN E IBAR PËR SHQIPËRINË

Sinjalet pozitive që vijnë nga Brukseli mund t’i sjellin Shqipërisë, në ditët në vazhdim, nisjen e mbylljes së kapitujve të hapur me Komisionin Europian dhe mbajtjen e mbledhjes ndërqeveritare më 26 maj.

Grupi i punës i vendeve anëtare të BE-së u mblodh përsëri në Bruksel për të diskutuar hartimin final të përgjigjes së vlerësimit IBAR për Shqipërinë.

Mbledhja e kësaj të marte është zhvilluar në një klimë të avancuar drejt dhënies së një vlerësimi pozitiv të IBAR-it nga ambasadorët e vendeve të BE-së, duke hapur rrugën për nisjen e mbylljes së kapitujve të hapur me Komisionin Europian.

Në mbledhjen e së martës së shkuar, ky grup pune, pjesë e COELA-s në Bruksel, ka bërë progres dhe kjo i është konfirmuar Top Channel prej një burimi në Këshillin Europian, i cili bëri këtë koment:

“Grupi i Punës COELA ka bërë përparim të mirë lidhur me atë që quhet ‘projekt-pozicioni i përbashkët i BE-së për Klasterin 1’ dhe ekziston një optimizëm i kujdesshëm se mund të arrihet një marrëveshje midis shteteve anëtare së shpejti në nivelin e WP-së.

Nëse kjo konfirmohet, dosja do t’u kalojë për miratim ambasadorëve të BE-së, të njohur si COREPER. Ky është niveli i dytë i vendimmarrjes brenda Këshillit, që në fund do të hapë rrugën për mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë në ditët ose javët në vijim”.

Burime diplomatike në Bruksel, bazuar në atë çfarë është prodhuar në dy mbledhjet e fundit, shprehin besimin se ambasadorët e vendeve të BE-së, në emër të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të tyre, do të mund t’i japin dritën jeshile mbledhjes së radhës ndërqeveritare Shqipëri-Komision Europian, për t’u zhvilluar më 26 maj.

Diskutimet mes ambasadorëve për propozimin e Komisionit Europian për nisjen e mbylljes së kapitujve me Shqipërinë kanë nisur prej muajit mars.

SHARE