TRE KONGRESISTË AMERIKANË PARAQESIN REZOLUTË NË KONGRES, KËRKOJNË ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Anëtarësimi në NATO është ndër synimet e kamotshme të Kosovës, qëkurse ajo e shpalli pavarësinë më 2008. Megjithatë, anëtarësimi kërkon njëzëshmëri nga të gjitha vendet anëtare dhe Kosovën nuk e njohin katër prej tyre.

Prandaj, Self, si nismëtar i rezolutës, u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i nxisin Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Self tha se “njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.

Ai argumentoi se përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë.

Kjo rezolutë është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por gjithashtu është kundërshtuar nga Serbia.

SHARE