KOS: SERBIA PA FONDE NGA PLANI I RRITJES DERISA VLEJNË LIGJET E DISKUTUESHME PËR GJYQËSORIN

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Serbia nuk do të marrë mjete financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për aq kohë sa ligjet e diskutueshme për gjyqësorin mbeten në fuqi.

“Për momentin i kemi pezulluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë, dhe derisa ta përmirësojë këtë, nuk do të mund të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, tha Kos gjatë një fjalimi në Universitetin e Friburgut në Zvicër.

Ligjet e diskutueshme, të ashtuquajtura “ligjet e Mërdiqit”, të miratuara në janar të këtij viti, për BE-në përbëjnë një hap prapa në procesin e integrimit të Serbisë në këtë bllok.

Kos ka paralajmëruar edhe më herët, në disa raste, se këto ligje e kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Më 24 prill, Komisioni i Venecias vlerësoi se me ndryshimet e fundit në paketën e ligjeve për gjyqësorin në Serbi, janë hequr mbrojtjet ekzistuese të autonomisë së prokurorisë.

Ky organ ekspertësh i Këshillit të Evropës i dha Serbisë nëntë rekomandime se si t’i eliminojë mangësitë.

Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia që t’i zbatojë plotësisht të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për gjyqësorin dhe njëkohësisht të pezullojë zbatimin e këtyre ligjeve deri në ndryshimin e tyre.

Nga fondet e Planit të Rritjes, Serbia ka të drejtë në gjithsej 1.588 miliard euro për periudhën 2024-2027.

SHARE