Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje strategjike energjetike me vlerë 6 miliardë dollarë me SHBA dhe Greqinë, e cila sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama do të shndërrojë Vlorën në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Rama theksoi se ky projekt është pjesë e transformimit të sektorit energjetik, duke kaluar nga një vend i varur nga energjia hidrike dhe importet, në një vend eksportues neto të energjisë së ripërtëritshme.
Kryeministri Rama theksoi se energjia është thelbësore për fuqinë ekonomike dhe pozicionin e Shqipërisë në rajon e Europë.
Ai tha se vendi po investon për të diversifikuar burimet dhe për t’u kthyer brenda mandatit në eksportues neto të energjisë 100% të ripërtëritshme, duke u larguar nga varësia nga hidroenergjia dhe importet.
Ai vlerësoi partneritetin me SHBA dhe Greqinë si kyç për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap që do ta shndërrojë Vlorën në një qendër të rëndësishme energjetike për Europën Juglindore.
Rama shtoi se ky bashkëpunim forcon rolin e Shqipërisë si nyje energjetike rajonale, kontribuon në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe lidhet ngushtë me objektivat për demokraci dhe pavarësi energjetike, duke dërguar mesazhin se edhe vendet e vogla mund të kenë rol të madh në zgjidhjen e sfidave globale.









