KUVENDI I KOSOVËS E MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR ÇMIMET TAVAN MES KUNDËRSHTIMEVE NGA OPOZITA

Ligjvënësit në Kosovë e kanë miratuar përfundimisht një Projektligj për çmimet tavan të enjten, me gjithë kundërshtimet nga opozita, e cila e akuzoi Qeverinë se përmes tij synon ndërhyrje në tregun e lirë.

Projektligji – i njohur zyrtarisht si Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg – u miratua me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rreth një javë pasi kishte kaluar në lexim të parë.

Për t’u bërë ligj ai duhet të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Qeveria i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës, duke argumentuar se ligji synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të jashtëzakonshme të çrregullimit të tregut, për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e paarsyeshme dhe e menjëhershme e çmimeve të produkteve bazë.

Ligji i cilëson si produkte themelore: drithërat; miellin; bukën; orizin; makaronat; vajin ushqimor; qumështin dhe produktet e qumështit; ujin; pemët dhe perimet; kripën e kuzhinës; vezët pulës; mishin; sheqerin kristalor; ushqimet bazë për fëmijë; produktet e higjienës personale ku përfshihen: sapuni, detergjenti, shamponi për flokë, letra tualeti, letrat higjienike, pasta dhe pelenat; lëndët e drurit për djegie.

Ligji parasheh gjithashtu themelimin e një bordi me pesë anëtarë, si organin më të lartë dhe përgjegjës për t’u marrë më çështjen e çmimeve tavan, i cili duhet t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj.

Skënder Krasniqi, kryetari i Bordit të Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë – misioni i të cilit është përfaqësimi, promovimi dhe mbrojtja e interesave e bizneseve anëtare – tha për Radion Evropa e Lirë se ky ligj duhet të jetë sa më transparent.

Por, sipas tij, vetëm caktimi i çmimeve tavan nuk mjafton, pasi duhet të ketë “lehtësim të importit, më shumë konkurrencë dhe mbështetje te fortë për prodhuesit vendorë”.

“Vetëm kështu mbrohen konsumatorët pa dëmtuar ekonominë”, tha Krasniqi.

Deputetë të tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thanë se nuk e kundërshtojnë nismën e bërjes së një ligji për çmimet tavan, por dolën kundër mënyrës se si Qeveria e kryeministrit Albin Kurti e ka përpiluar këtë ligj.

SHARE