KOSOVA PA PRESIDENT / NGËRÇ PËR PROCESIN E VOTIMIT NË PARLAMENT, OPOZITA PARALAJMËRON BOJKOT TË SEANCËS

Vetëm edhe pesë ditë kohë kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Në kushtet aktuale kur nuk ka marrëveshje e janë dy kandidatë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, opozita pritet të bojkotojë seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ne nuk shkojmë në sallë për të bërë kuorum dhe për të iu nënshtruar vullnetit politik të Albin Kurtit”, shprehet Vlora Çitaku, PDK.

Zgjedhja e presidentit, nëse ka propozime partiake, siç ka qenë herën e kalume, jo absoultisht, jo. Sepse ne shkojmë për t’i dhënë vendit një president, ashtu sic e kërkon Kushtetuta e Kosovës, jo një zgjatim të partisë së madhe”, tha Jehona Lushaku, deputete e LDK-së.

Nuk do të marrim pjesë në seancë, ku do të jenë dy kandidatë të propozuar prej një partie”, tha Besnik Tahiri, deputet i AAK.

Që nga seanca e pesë marsit, Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerrë dy kandidatë për presidentë, nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën dhe deputeten Fatmire Mulhaxha Kollçakun. Derisa kanë kandidatët e tyre, Vetëvendosje u kërkon opozitës të propozojnë edhe ndonjë kandidat tjetër, por shprehen të gatshëm të marrin pjesë edhe në një seancë për zgjedhjen e presidentit.

Si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe me datën pesë mars edhe në cilën do prej ditëve kur ka një propozim, jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm të votojmë për presidentin e vendit”, deklaroi Arbërie Nagavci, deputete e LVV.

Rreth një muaj më parë, me aktgjykim, Gjykata Kushtetuese u dha kohë deputetëve të zgjedhin presidentin e Kosovës deri më 28 prill. Nëse dështojnë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

SHARE