Shtetet e Bashkuara dhe Kosova po vazhdojnë të avancojnë “interesat e përbashkëta të sigurisë” dhe të “forcojnë stabilitetin rajonal”.
Kështu tha Ambasada amerikane në Prishtinë në një postim në rrjetet sociale lidhur me përmbylljen e vizitës në Kosovë të ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
“Vizita e tij vuri në pah kontributet në rritje të Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për të adresuar sfidat globale dhe rëndësinë e bashkëpunimit tonë përmes KFOR-it dhe përmes Programit për Partneritet të Gardës Kombëtare me Ajovën. Së bashku, SHBA-ja dhe Kosova vazhdojnë të avancojnë interesat e përbashkëta të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit rajonal”, tha Ambasada amerikane.
Një ditë më parë, Whitaker zhvilloi takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
Ndërkaq në qendër të takimeve, sipas njoftimeve të lëshuara nga zyra e Kurtit, Haxhiut dhe KFOR-it, ishte siguria në Kosovë dhe rajon.









