Gratë shqiptare / Sidorela Berishaj

Sidorela Berishaj është profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë, me studime të përfunduara master në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Që në fëmijëri, gjatë shkollimit në arsimin tetëvjeçar, ka shfaqur talent të veçantë në krijimin e poezisë, ndërsa në shkollën e mesme ishte aktive në klubet e aktrimit.

Prej 7 vitesh është pjesë e kolektivit të shkollës në Tuz, ku ushtron me përkushtim dhe pasion profesionin e mësimdhënëses së gjuhës shqipe dhe letërsisë. Përveç procesit mësimor, ajo angazhohet edhe në organizime të shumta shkollore dhe letrare, duke shënuar data të rëndësishme të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe botërore.

Sidorela është gjithashtu organizatore e konkurseve letrare, trajnuese dhe mentore e nxënësve të talentuar, si dhe e organizuar në përgaditjen e mini-dramave dhe shfaqjeve në shkollat ku ajo ligjeron.  

Prej disa vitesh, ajo është e angazhuar nga Komuna e Tuzit në Panairin e Librit, ku luan rolin e moderatores dhe udhëheq promovimet e librave të autorëve kombëtarë.

Gjithashtu, pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, ajo kontribuon si korrektore e teksteve shkollore.

Me një talent të spikatur në krijimtarinë poetike, Sidorela publikon krijimet e saj në portale rajonale të kulturës, si dhe në rrjete sociale.

Sidorela Berishaj përfaqëson një shembull frymëzues të një gruaje të angazhuar, të palodhur dhe me ndikim pozitiv. Puna dhe përkushtimi i saj e bëjnë atë një figurë të rëndësishme në komunitetin e Tuzit dhe një model për brezat që vijnë.

Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.

/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /




SHARE