Presidentja e PE-së Roberta Metsola ka vlerësuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ajo u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria janë në krye të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se perspektiva europiane mbetet shtysa kryesore që orienton zhvillimet politike në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë vendin tonë.
Ndërkohë dy ditë më parë edhe Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, veçoi sërish Shqipërinë, si vendi që po përparon në mënyrë të qëndrueshme në procesin e anëtarësimit drejt familjes europiane.
Në një intervistë për BBC News, Kos theksoi se Shqipëria po ecën mirë në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se gjatë mandatit të saj si komisionere, pritet të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian, nëse vendet kandidate vijojnë me ritmin e reformave.
“Kemi Malin e Zi, i cili është më i avancuari. Kemi Shqipërinë, e cila po ecën mirë, si dhe Moldavinë. Pra, këto tre vende dhe ndoshta edhe Ukraina, nëse shtyjnë përpara reformat, shpresoj që gjatë mandatit tim të kemi një shtet të ri anëtar”, tha ajo.









