KURTI PËRJASHTON ZGJEDHJET E REJA: NUK JANË OPSION, PARTITË TË TREGOJNË VULLNET PËR PRESIDENTIN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në mbledhjen e Qeverisë se vendi po i afrohet një afati kushtetues, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion dhe se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.

“Kemi një afat kushtetues i cili po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, unë besoj që nuk është opsion. E zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta.”

Ai ka theksuar se kjo situatë kërkon vullnet për zgjidhje dhe kompromis politik, duke shtuar se asnjë parti nuk mund të pretendojë sigurimin e 80 apo më shumë deputetëve. Diskutimet, sipas tij, duhet të zhvillohen mbi bazën e rezultatit zgjedhor dhe në interes të vendit.

“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë. Andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga ato pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar.”

SHARE