BALLKANI PERËNDIMOR RREZIKON TË HUMBASË MBI 700 MILIONË EURO NGA PLANI I RRITJES

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të humbasin qindra miliona euro deri në qershor për shkak të mungesës së zbatimit të reformave që dalin nga Plani i Rritjes.

“Javën e kaluar unë ju kam shkruar autoriteteve në rajon duke u kërkuar që të përshpejtojnë reformat ose qytetarët e tyre do të humbasin. Plani i Rritjes është i bazuar në performacë që është i lidhur me afate kohore. Aktualisht, mbi 700 milionë euro janë në rrezik që të humben përgjithmonë në rajon nëse reformat nuk përfundohen deri në qershor 2026 ose dhjetor 2026”, tha Kos në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Më herët gjatë ditës, burime nga Komisioni Evropian i thanë Radios Evropa e Lirë raportoi se Kos i ka paralajmëruar me shkrim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas informacioneve jozyrtare, komisionarja Kos e ka dërguar këtë letër më 17 prill në të gjitha kryeqytetet e rajonit.

Burimet e REL-it kanë konfirmuar se me këtë letër, komisionarja Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.

Në fakt, mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Për çdo hap reformues është paraparë një afat përfundimtar për zbatim dhe është ndarë një shumë e caktuar parash.

KE-ja ka paraparë edhe të ashtuquajturën “periudhë grejs”, e cila mundëson shtyrjen e zbatimit për një periudhë të caktuar kohore. Për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025, afati përfundimtar skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat që duhej të realizoheshin në fund të vitit 2024, ky afat përfundon gjatë vitit 2026.

“Nëse nuk përmbushen, partnerët rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro”, konfirmoi për REL një zyrtar i KE-së.

Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.

Fundi i qershorit të këtij viti përbën momentin kur secili vend hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.

Sipas burimeve në Bruksel, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë si vijon:

  • Kosova: 68.8 milionë euro
  • Shqipëria: 67.7 milionë euro
  • Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
  • Mali i Zi: 15.1 milionë euro
  • Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
  • Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Bazuar në shumën maksimale, në total mund të humben 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84 për qind të financimit të përgjithshëm nga Plani i Rritjes.

SHARE