PRÉVOT: DO TË AVOKOJË PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS TANI

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe pas takimeve me Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, ka dhënë mbështetje të fuqishme për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai ka deklaruar se Belgjika do të avokojë në mënyrë aktive dhe të menjëhershme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se “tani është koha” për këtë hap.

Sipas tij, kjo tregon angazhimin konkret të Belgjikës ndaj Kosovës dhe gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin bilateral, përfshirë edhe fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor, si dhe mbështetjen për komunitetin e madh të diasporës kosovare në Belgjikë.

Prévot ka theksuar se perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e besueshme, por ka nënvizuar se progresi në dialogun Kosovë–Serbi është thelbësor për integrimin në BE.

Ai tha se stabiliteti rajonal, zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe ulja e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës, janë kushte të domosdoshme për përparim të mëtejshëm.

Në fund, ai ritheksoi se Belgjika mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën euro-atlantike dhe se stabiliteti politik i brendshëm është çelës për forcimin e institucioneve dhe afrimin me Bashkimin Evropian.

SHARE