SPAHIU: STANDARDIZIMI I GJUHËS SHQIPE, PRIORITET KOMBËTAR

Në ditën e tretë të Samitit të IV të Diasporës, me temë “Rruga përpara – Nga komunikimi te bashkëveprimi”, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, theksoi se forcimi i lidhjeve me diasporën dhe standardizimi i gjuhës shqipe janë dy shtylla kryesore të strategjisë së re kombëtare.

Spahiu vlerësoi përkushtimin e mësuesve shqiptarë jashtë vendit, të cilët, sipas saj, mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare në komunitetet ku jetojnë.

 “Të investosh nga koha jote dhe të trashëgosh gjuhën shqipe është një gjë që ne nuk duhet ta harrojmë kurrë. Tashmë, në strategjinë e re, gjuha shqipe do të jetë e standardizuar dhe e certifikuar”, u shpreh ajo, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një kornize të përbashkët evropiane të referimit për gjuhën.

Duke sjellë shembullin e komuniteteve arbëreshe, Spahiu paralajmëroi se ruajtja e gjuhës kërkon një qasje të unifikuar.

Arbëreshët janë të shqetësuar për të ardhmen e arbërishtes. Ata duan që komunitetet të jenë bashkë dhe të ketë një standardizim të mësimit të gjuhës”, tha ajo.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit theksoi se bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve shqiptare nuk duhet të mbetet në nivel dëshire, por të kthehet në detyrim.

Deputetët e parlamentit shqiptar duhet të kenë lidhje të vazhdueshme me diasporën. Dyert e konsullatave duhet të jenë gjithmonë të hapura. Shqipëria është tek ajo derë”, u shpreh Spahiu, duke e përshkruar këtë bashkëpunim si një trinomi mes diasporës, parlamentit dhe qeverisë.

Gjithashtu ajo rikujtoi objektivin madhor të Shqipërisë: integrimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Rëndësi ka që ne kemi dashamirësinë për ta parë vendin tonë shumë më mirë se sot dhe për të arritur atë objektiv që ne duhet të ulemi në tryezën e BE-së në vitin 2030. Një angazhim shumë më i madh i yni dhe i juaji do ta bëjë këtë gjë realitet”, përfundoi Spahiu.

SHARE