Njëmbëdhjetë njerëz janë hospitalizuar si pasojë e lëndimeve nga një zjarr që e ka përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe banimi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të martën, njoftuan autoritetet.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se personat e hospitalizuar nuk janë në rrezik për jetën.
Ndërkohë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare (MIA) tha në Facebook se janë lënduar gjashtë zjarrfikës dhe dy qytetarë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Konkretisht, u transportuan drejt spitalit 3 zjarrfikës me djegie të shkallës së dytë, 2 zjarrfikës me simptoma asfiksie, si dhe 2 qytetarë të evakuuar nga objekti”, thuhet në njoftim.
Zjarri – që nisi rreth orës 17:00 në ndërtesën pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – u vu nën kontroll rreth tri orë më vonë, sipas autoriteteve.
Fasada e pallatit mori flakë tërësisht deri në katin e 12-të dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikëseve zjarri, depërtoi edhe brenda në banesa, para se të vihej nën kontroll.
Ende nuk dihet shkaku i zjarrit.
MIA theksoi se zjarri është vënë nën kontroll të plotë, por nuk është shuar plotësisht.
“Zona vijon të monitorohet për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve”, tha MIA në Facebook.
Strukturat përgjegjëse po vijojnë kontrollin në çdo banesë për të evidentuar persona të lënduar apo të bllokuar, shtoi MIA.
Në operacionin për përballimin e situatës u angazhuan rreth 70 forca zjarrfikëse me 15 mjete, 50 forca policore, si dhe struktura të tjera mbështetëse, përfshirë urgjencën mjekësore, UKT-në, forcat bashkiake dhe vullnetarë, thuhet në njoftimin e agjencisë qeveritare.
Ministria e Mbrojtjes tha se 26 pjesëtarë të ushtrisë janë angazhuar në këtë operacion, dhe një helikopter Cougar po punonte për shuarjen e plotë të zjarrit.
Ekipet e emergjencës ndërhynë duke i larguar disa banorë të ngecur në ndërtesë dhe me vështirësi në frymëmarrje.
Rreth një orë pasi u ndez zjarri, Policia zgjeroi perimetrin e sigurisë, duke u kërkuar mediave dhe banorëve të zhvendosen, pasi gjendja u përkeqësua me përhapjen e flakëve edhe brenda banesave.








