Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bashkëbisedim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, në prag të Samitit të IV-t të Diasporës që do të zhvillojë punimet nga sot deri të mërkurën në Tiranë.
Në këtë takim të parë, njohës por edhe përmbajtësor, ministri Hoxha shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për angazhimin e secilit anëtar.
“Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore”, theksoi Hoxha në një postim në rrjetet sociale.
Ministri Hoxha u shpreh se “në fokus të Shqipëria 2030 është fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë”.
“Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për të forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë. Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme”, tha Hoxha.










