Në seancën plenare të 10 prillit, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan katër marrëveshje ndërkombëtare, por një rezolutë që kërkonte uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën nuk kaloi.
Deputetët ratifikuan katër marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh.
Mbi 80 vota mori Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.
Po ashtu kaloi edhe Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e kredisë të bazuar në politika. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo marrëveshje është në vlerë prej 80 milionë eurosh.
Dritën jeshile e mori edhe Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Qeverisë gjermane për kredi në sektorin e energjisë dhe klimës.
Ministri Murati tha se kjo marrëveshje, po ashtu në vlerë prej 80 milionë eurosh, mbështet politikat dhe reformat në sektorin e energjisë.
U ratifikua edhe Marrëveshja e kredisë me Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0″.
Murati tha se marrëveshja është në kuadër të një projekti rajonal që parasheh 35 milionë euro si kredi dhe 12 milionë në formë të grantit.
Gjatë seancës u hodh në votim edhe rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) parti në opozitë, përmes së cilës kërkohej ulja e akcizës dhe heqja e TVSH-së për naftën.
Për të 34 deputetë votuan për, 49 kundër dhe 7 abstenime.
Debati për rezolutën u zhvillua më 3 prill, por votimi për të ishte shtyrë në mungesë të kuorumit.








