KOS: BRUKSELI GJITHNJË E MË I SHQETËSUAR PËR SERBINË, PO VLERËSOHEN PAGESAT E REJA

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian ende po vlerëson nëse Serbia i përmbush kushtet për “pagesa në bazë të instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian”.

“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi. Nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit, te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrjet e përsëritura ndaj mediave të pavarura”, theksoi Kos për të përditshmen Politico.

Ajo shkroi se Serbia përballet me mundësinë e humbjes së deri në 1.5 miliard eurove mjete financiare nga Bashkimi Evropian dhe se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të tyre për shkak të prapakthimit demokratik dhe lidhjeve të ngushta të Beogradit me Rusinë.

Në shkrim rikujtohet se Serbia nuk është anëtare e BE-së, por, meqë ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, ka të drejtë të përfitojë fonde dhe grante për ta ndihmuar Beogradin në zbatimin e reformave.

Javët e fundit, brenda KE-së ka pasur një nismë për t’ia ndalur këto fonde Serbisë, kanë thënë për Politico katër zyrtarë të BE-së që punojnë me vendet që janë në procesin e zgjerimit, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Po ashtu, thuhet se Danijel Apostoloviq, ambasador i Serbisë në BE dhe kryenegociator për anëtarësim, ka deklaruar se është i bindur se nuk do të ketë pezullim të financimit dhe se Serbia nuk po heq dorë nga synimi për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e bllokut evropian.

SHARE