Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.
Konjufca, tutje në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka deklaruar se “Republika e Kosovës vazhdon të zhvillohet si një demokraci stabile, me institucione funksionale dhe progres të qëndrueshëm demokratik”, duke shtuar se vendi ka ndërtuar një polici profesionale dhe forca të besueshme të sigurisë.
Ai theksoi se “Kosova ka dëshmuar reziliencë ndaj krizave të jashtme dhe globale”, ndërsa vuri në dukje se janë mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike, që sipas tij kanë forcuar institucionet dhe stabilitetin politik.
“Qeveria e sapoformuar do të vazhdojë me reforma të thella për ta bërë vendin më të sigurt dhe më të integruar në arenën ndërkombëtare”, tha Konjufca.
Duke folur për raportet me Serbinë, ai deklaroi se “sfidë kryesore mbetet mungesa e gatishmërisë së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve”, duke shtuar se “Serbia vazhdon të pengojë stabilitetin dhe integrimin e rajonit”.
Ai theksoi se është e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia, e cila as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, tha ai.
Konjufca tha gjithashtu se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, dialogut dhe integrimit të të gjitha komuniteteve”, duke nënvizuar hapa konkretë për integrimin e komuniteteve në veri dhe ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjithë qytetarët.
Ai ngriti shqetësimin për, siç u shpreh, përpjekjet për minimin e rendit institucional, duke theksuar se “roli i NATO-s mbetet i domosdoshëm”. Po ashtu, kërkoi vëmendje për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku tha se vazhdojnë sfida serioze.
Sa i përket njohjeve ndërkombëtare, Konjufca u shpreh se “jemi mirënjohës ndaj të gjitha 121 shteteve që kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës”, duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin atë pa vonesë.
Në lidhje me Dhomat e Specializuara, ai tha se “ato nuk burojnë nga Rezoluta 1244 dhe nuk i përkasin mandatit të UNMIK-ut”, duke shtuar se janë krijuar mbi bazë kushtetuese dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Sa i përket raportit të UNMIK-it, Konjufca tha se ai nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.
Konjufca, po ashtu tha se Kosova nuk mund t’i besojë Serbisë pa llogaridhënie të qartë dhe garanci për ndalimin e agresionit, duke marrë për bazë çështjen e mbrojtjes së terroristëve të Banjskës nga ana e shtetit të Serbisë.
Konjufca tha se raporti se nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.
“Veprimet e vazhdueshme hibride dhe provokimet përbëjnë përpjekje për ta minuar paqen, duke u paraqitur si mbrojtje e komunitetit serb në Kosovë. Raporti mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar rastin e sulmit dhe autorët kryesorë të këtij akti terrorist, duke përfshirë Milan Radoiçiçin, në kohën e sulmit dhe lidhjet e tyre, si dhe mbështetjen që kanë pasur, përfshirë edhe në nivele politike. Nuk mund t’i besojmë Serbisë dhe nuk mund të presim të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë dhe pa garanci për ndalimin e agresionit”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se po të ishte më i balancuar, raporti do të trajtonte në mënyrë më të plotë realitetin në terren dhe në rajon, sidomos qasjen gjithnjë e më autoritare dhe destruktive, provokimet e vazhdueshme, rritjen e armatimit dhe metodologjinë përshkallëzuese ushtarake, si dhe fushatat dezinformuese të Serbisë.
“Gjithashtu, duhet të trajtohet edhe spastrimi administrativ i shqiptarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shtuar Konjufca.
Në fund, Konjufca rikonfirmoi se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, duke synuar një rajon më të sigurt dhe më të integruar në strukturat euroatlantike.








