RADULLOVIQ: PAS 30 VITESH KONCESIONI, PRONËSIA E AEROPORTEVE MBETET TE SHTETI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar propozimin për dhënien me koncesion të aeroporteve në Podgoricë dhe Tivat për një periudhë 30-vjeçare.

Sipas propozimit, koncesioni do t’i jepet ofertuesit të renditur i pari, kompanisë Incheon Airport Consortium nga Koreja e Jugut, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret nga Kuvendi.

Ministri i Transportit, Fillip Radulloviq, deklaroi se pas përfundimit të periudhës së koncesionit, e gjithë pasuria dhe infrastruktura e aeroporteve do të mbeten në pronësi të shtetit. Ai theksoi se koncesioni nuk përbën privatizim apo shitje të aeroporteve, por një formë menaxhimi afatgjatë nga një operator i jashtëm. Sipas tij, zgjatja e procesit ka dhënë sinjale negative për investitorët, duke e paraqitur vendin si të ngadaltë për investime.

Këshilltarja për Politikë Ekonomike e kryeministrit, Millena Milloviq, sqaroi se koncesioni përfaqëson një qira afatgjatë dhe se të gjitha investimet e realizuara gjatë kësaj periudhe do të mbeten në pronësi të shtetit. Ajo vlerësoi se përfitimet totale për shtetin do të jenë të paktën 1 miliard euro gjatë 30 viteve.

Plani i investimeve përfshin rreth 300 milionë euro, ku pjesa më e madhe do të realizohet në vitet e para, përfshirë 132 milionë euro në tre vitet e para. Projektet përfshijnë rikonstruksionin e terminaleve ekzistuese dhe ndërtimin e të rejave, zgjerimin e kapaciteteve për avionë, hapësira të reja prej rreth 40 mijë metrash katrorë, vende parkimi dhe ndërtimin e një terminali detar në Tivat.

Koncesionari gjithashtu është i detyruar të paguajë çdo vit 35% të të ardhurave bruto, që sipas vlerësimeve do të arrijnë të paktën 600 milionë euro gjatë gjithë periudhës së koncesionit. Duke marrë parasysh fitimin aktual të aeroporteve, kjo do të thotë pagesa vjetore mbi 20 milionë euro për shtetin.

Sa i përket punonjësve, është parashikuar që koncesionari të marrë përsipër të gjithë të punësuarit ekzistues për të paktën pesë vite dhe të respektojë marrëveshjet kolektive, pa ulje të numrit të tyre, ndërsa pritet edhe rritje e stafit për shkak të zgjerimit të kapaciteteve.

Drejtori ekzekutiv i Aeroporteve të Malit të Zi, Roko Toliq, deklaroi se ndërmarrja ka bërë përparime infrastrukturore, por se është e vështirë të përballohen të gjitha investimet pa partner strategjik. Ai theksoi se përfshirja e një operatori me përvojë ndërkombëtare është në interes të zhvillimit të mëtejshëm dhe përmirësimit të shërbimeve.

SHARE