MALI I ZI DIGJITALIZON FINANCAT PUBLIKE: TË GJITHA LEJET DHE REGJISTRIMET TANI TË DISPONUESHME ONLINE

Foto: Biznis CG

Nga Ministria e Financave njoftohet se, pas përfundimit të digjitalizimit të shërbimeve kryesore administrative, tani është mundësuar që të gjitha kërkesat për leje, regjistrime dhe pagesa të taksave administrative të dorëzohen dhe ndiqen online përmes portalit të e-qeverisjes.

“Subjektet ekonomike mund të paraqesin online kërkesa për lëshimin ose rinovimin e lejeve për import, eksport, tregti me shumicë dhe pakicë, përpunim dhe prodhim të produkteve të duhanit, si dhe për regjistrimin në regjistrin e markave të produkteve të duhanit. Përveç kësaj, të gjitha tarifat dhe taksat administrative mund të paguhen drejtpërdrejt në portal, gjë që e shkurton ndjeshëm kohën dhe e thjeshton procesin”, njoftuan nga Ministria e Financave.

Me këtë hap, theksohet se përdoruesit nuk kanë më nevojë të paraqiten fizikisht në sportele, pasi të gjitha procedurat mund të ndiqen online, ndërsa vendimet dërgohen në formë elektronike, duke e bërë administratën më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më transparente.

Gjithashtu, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike, do të vazhdojë modernizimin e shërbimeve digjitale me qëllim që administrata publike të jetë më efikase dhe më e qasshme për qytetarët dhe bizneset.

“Ftojmë të gjithë përdoruesit që të shfrytëzojnë mundësitë e reja elektronike për të lehtësuar dhe thjeshtuar kryerjen e procedurave administrative”, thuhet në njoftim.

SHARE