HAXHIU: EFIKASITETI I KUVENDIT I DOMOSDOSHËM PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucioni ligjvënës duhet të rrisë efikasitetin në punën e tij për shkak të afatit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi i Kosovës, ajo theksoi se Kuvendi duhet t’i adresojë me përgjegjësi të gjitha obligimet që ka përpara, në mënyrë që të shmangen vonesat dhe pasojat institucionale.

Sipas saj, në rendin e ditës janë përfshirë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, të cilat kërkojnë trajtim dhe miratim, duke e bërë edhe më të domosdoshëm funksionimin efikas të Kuvendit në këtë periudhë.

Haxhiu bëri të ditur se ka pasur përpjekje për të arritur konsensus mes grupeve parlamentare lidhur me renditjen e një rezolute në seancë, mirëpo këto përpjekje nuk kanë rezultuar me marrëveshje.

Ajo sqaroi se Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar që kjo çështje të jetë pikë e parë e rendit të ditës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ajo të vendoset në fund të agjendës.

“Kam propozuar që, pavarësisht renditjes, në momentin kur deputetët janë të gatshëm, çështja të trajtohet dhe të votohet, por nuk pati dakordim për këtë propozim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se, nëse do të kishte mirëkuptim mes palëve, rezoluta do të ishte miratuar në seancën e kaluar dhe nuk do të ishte më temë diskutimi.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, sipas saj, nuk është arritur të miratohet rendi i ditës, dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit, ai pritet të miratohet në seancën e së premtes.

Haxhiu theksoi gjithashtu se Kuvendi ka përparë edhe shqyrtimin e disa raporteve të komisioneve parlamentare për projektligje, duke e bërë edhe më të ngarkuar agjendën legjislative.

Duke iu referuar afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ajo u bëri thirrje deputetëve që të përmbushin obligimet e tyre dhe të kontribuojnë në funksionalitetin e institucioneve.

“Uroj që kjo të përfundojë sa më shpejt dhe deputetët të kryejnë detyrat e tyre, në mënyrë që vendi të mos përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme”, theksoi ajo.

SHARE