Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme po e shtyn botën drejt frenimit të rritjes ekonomike dhe inflacionit të lartë. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar ndërprerjen më të rëndë të furnizimit me energji në histori, duke bërë që çmimi i naftës së papërpunuar në bursë të fluturojë.
“Nëse nuk do të kishim këtë luftë, do të shihnim një rritje të parashikimeve tona. Në vend të kësaj, të gjitha rrugët tani çojnë drejt çmimeve më të larta dhe rritjes më të ngadaltë. Furnizimi botëror me naftë është tkurrur me 13%”, tha Kristalina Georgieva, drejtoreshë e FMN-së.
Sipas Georgievës, goditja është asimetrike dhe po dëmton më rëndë vendet e varfra, që nuk kanë rezerva energjetike apo hapësirë fiskale për të mbrojtur qytetarët e tyre, duke bërë thirrje për masa kundër krizës. Sipas saj, dëmet në infrastrukturën e gazit në Katar dhe rajone të tjera do të ndihen edhe për vitet e ardhshme.
Paralajmërimet vijnë përpara publikimit zyrtar të raportit “Perspektiva Ekonomike Botërore” më 14 prill. FMN pritet të rishikojë zyrtarisht rritjen globale prej 3.3%, duke reflektuar pasojat e rënda të luftës, që ka marrë tashmë mijëra jetë njerëzish.









