Foto: Ilustrim
Hapja e linjave të reja ajrore pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve në Mal të Zi, si për qëndrime të gjata ashtu edhe për vizita të shkurtra.
Sipas përfaqësuesve të organizatave turistike, kjo do të përmirësojë lidhjen me tregjet evropiane dhe do ta bëjë vendin më të aksesueshëm për vizitorët.
Nga Organizata Turistike theksohet se kryeqyteti ofron kushte për lloje të ndryshme turistësh, duke përfshirë pushime të shkurtra dhe vizita tranzite, ndërsa afërsia me destinacione natyrore si Liqeni i Shkodrës shton atraktivitetin.
Ndërkohë, përfaqësues nga Herceg Novi vlerësojnë se linjat e reja do të sjellin më shumë turistë edhe në bregdet.
Po ashtu, theksohet se nuk bëhet fjalë vetëm për fluturime sezonale, por edhe për linja që do të funksionojnë gjatë gjithë vitit, duke mbështetur synimin që Mali i Zi të zhvillohet si destinacion turistik gjithëvjetor.











