MORËN LEJE NGA IRANI: 15 ANIJE KALOJNË NGUSHTICËN E HORMUZIT NË 24 ORË

15 anije e kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit, pasi morën autorizim nga autoritetet iraniane.

Lajmin e përcolli agjencia Fars, e cila theksoi se kalimi në këtë rrugë ujore strategjike është lejuar vetëm pas miratimit nga Teherani. Megjithatë, trafiku detar mbetet rreth 90% më i ulët krahasuar me periudhën para se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të nisnin sulmet ndaj Republikës Islamike në fundin e muajit shkurt. Që prej atëherë, rajoni është në gjendje të vazhdueshme tensioni.

Deri tani, nga konflikti kanë humbur jetën mbi 1.340 persona, mes tyre edhe ish-lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Në kundërpërgjigje të ofensivës amerikano-izraelite ndaj tij, Irani ka ndërmarrë një seri sulmesh me dronë dhe raketa ndaj shtetit hebre e ka shënjestruar Jordaninë, Irakun dhe disa vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane. Po ashtu, regjimi i ajatollahëve vendosi kufizime të forta mbi lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Kalimi i 15 anijeve të lejuara prej tij vjen në kohën kur Irani ka refuzuar nga ana tjetër prerazi kërkesat e Donald Trump për hapjen e plotë të ngushticës, pas paralajmërimeve të ashpra të presidentit amerikan për përshkallëzim të mëtejshëm. Një llogari e lidhur me marinën e Gardës Revolucionare Islamike deklaroi në rrjetin X se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të rikthehet kurrë në gjendjen e mëparshme, veçanërisht për SHBA-në dhe Izraelin”, duke shtuar se forcat detare iraniane janë drejt përfundimit të përgatitjeve për një “rend të ri” në Gjirin Persik.

Kjo deklaratë lidhet me një plan të miratuar nga parlamenti iranian, i cili parashikon vendosjen e tarifave për disa anije dhe ndalimin e kalimit për ato amerikane dhe izraelite.

SHARE