3 VIKTIMA DHE 16 TË PLAGOSUR NË PORTIN MË TË MADH TË UKRAINËS

Këto pamje vijnë nga qyteti port i Odesës, ku shihen shkatërrime nga një sulm i fuqishëm rus, që shkaktoi 3 viktima. Ekipet e emergjencës u angazhuan për të nxjerrë banorët e mbetur nën rrënojat e ndërtesave të banimit. Guvernatori rajonal konfirmoi se në mesin e viktimave është edhe një fëmijë, ndërsa 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Goditjet u përqendruan në infrastrukturën kritike dhe zonat administrative të portit më të madh të Ukrainës, i cili mbetet pika kyçe e eksportit të grurit.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Moska lëshoi 140 dronë brenda natës, ndërsa bëri thirrje për partnerët ndërkombëtarë që të angazhohen në forcimin e mbrojtjes ajrore për kapjen e dronëve.

“Rusët lëshuan më shumë se 140 dronë kundër Ukrainës. Në disa rajone, sulmet vijojnë ende dhe kjo është vetëm një pjesë e asaj që populli ynë përjeton çdo ditë. Gjatë javës së kaluar, u përdorën mbi 2,800 dronë sulmues, së bashku me gati 1,350 bomba ajrore të drejtuara dhe më shumë se 40 raketa të llojeve të ndryshme. Tani për tani, të gjithë partnerët duhet të forcojnë së bashku mbrojtjen ajrore në mënyrë që shkalla e kapjes së dronëve dhe raketave të vazhdojë të rritet”.

Por kundërpërgjigjja e Kievit ka qenë po aq e ashpër. Gjatë mbrëmjes së të dielës, një valë prej 148 dronësh ukrainas shënjestroi territorin rus. Objektivi kryesor ishte Novorossiysk, porti më i madh i eksportit të naftës në Rusinë jugore. Guvernatori rajonal njoftoi se kanë mbetur të lënduar 8 persona nga rënia e mbetjeve të dronëve, ndërsa janë dëmtuar 6 pallate dhe 2 shtëpi private.

SHARE