LUFTA NË LINDJEN E MESME RRIT BILETAT AJRORE / MË PAK FLUTURIME NË VERË, SHKAK SHTRENJTIMI I KARBURANTIT

Rritja e çmimit të kerozinës dhe frika për mungesa të mundshme furnizimi kanë mbjellë shqetësim në industrinë ajrore globale, duke rrezikuar shtrenjtimin e biletave dhe reduktimin e fluturimeve gjatë muajve të verës.

Paralajmërimi vjen nga Afjencia Ndërkombëtare e Trafikut Ajror, IATA, sipas të cilës, fakti që kerozina është një produkt me prodhim të kufizuar, e bën tregun shumë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve. IATA thotë se cmimi i një fucie kerozine është dyfishuar që nga fundi i shkurtit. Eksperti i aviacionit, Cord Schellenberg, i tha DW se rritja e kostos së karburantit pritet të reflektohet tek çmimet e biletave.

Reduktimi i fluturimeve është një tjetër pasojë e mundshme. Kompani si United Airlines dhe Vietnam Airlines kanë njoftuar se do të zvogëlojnë numrin e fluturimeve për vitin e ardhshëm për shkak të kostove të larta dhe mungesës së karburantit. Europa konsiderohet një nga rajonet më të ekspozuara, pasi 25 deri në 30% e kërkesave të saj për kerozinë varet nga furnizimet nga Gjiri Persik.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka përkeqësuar situatën, duke rritur çmimet e energjisë dhe shqetësimet për furnizimin. Pritet që biletat e avionëve të rriten me 3-4% nga prilli deri në qershor, ndërsa situata mbetet e pasigurt nëse konflikti vazhdon.

SHARE