Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, njoftoi se deri tani Ministria e Financave nuk ka propozuar Qeverisë heqjen e akcizave për karburant.
Ai shtoi se kjo nuk përjashton mundësinë që një vendim i tillë të merret në të ardhmen, në varësi të situatës në treg.
“Aktualisht nuk kemi dërguar një propozim të tillë te Qeveria, por kjo nuk do të thotë se nuk do të reagojmë nëse situata e kërkon,” tha Vukoviq pas një takimi në Dhomën Amerikane të Tregtisë.
Ai bëri të ditur se situata po monitorohet me kujdes dhe se kalendari i akcizave dhe vendosja e çmimeve varen nga shumë faktorë. Vukoviq gjithashtu kujtoi deklaratat e kryeministrit Millojko Spajiq dhe ministrit të Energjisë dhe Minierave, Admir Shahmanoviq, sipas të cilëve nuk ka mungesë karburanti dhe janë të sigurta sasi për dy deri në dy e gjysmë muaj.
“Ministria e Financave po ndjek të gjithë treguesit në treg dhe nevojat e Malit të Zi në këtë drejtim,” theksoi Vukoviq.











