KUVENDI I SHQIPËRISË THOTË SE ËSHTË GODITUR NGA NJË SULM KIBERNETIK

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të martën vonë se është goditur nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit janë fshirë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

“Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kuvendi nuk bëri të ditur se nga ka ardhur sulmi, por më herët gjatë ditës një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, e mori përgjegjësinë për sulmin dhe theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

SHARE