Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi po bëhet qendër e njohurive mbi të cilat formohet e ardhmja e hapësirës digjitale të Ballkanit Perëndimor, njoftoi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për selinë e Qendrës për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C) në Podgoricë.
Qendra për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C) është një iniciativë rajonale e themeluar nga Franca, Sllovenia dhe Mali i Zi me qëllim forcimin e rezistencës kibernetike në Ballkanin Perëndimor. Përmes programeve trajnuese, dialogut strategjik dhe bashkëpunimit operacional, WB3C ofron mbështetje qeverive dhe institucioneve në rajon në fushat e sigurisë kibernetike, luftës kundër kriminalitetit kibernetik dhe diplomacisë kibernetike.
Dukaj theksoi se kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për pozicionin ndërkombëtar të Malit të Zi dhe zhvillimin e kapaciteteve kibernetike në rajon.
Duke u ndalur te aktivitetet e periudhës së kaluar, Dukaj nënvizoi se Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ka arritur përparim të konsiderueshëm në fushën e sigurisë kibernetike.
“Për një kohë relativisht të shkurtër kemi krijuar Agjencinë për Sigurinë Kibernetike, si dhe CIRT-in Qeveritar, duke vendosur mekanizma për monitorim, parandalim dhe përgjigje ndaj incidenteve kibernetike. Transformimi ynë digjital bazohet në një parim të qartë, çdo shërbim digjital i ri duhet të shoqërohet me mekanizma të fuqishëm mbrojtjeje, sepse digjitalizimi pa siguri kibernetike nuk mund të fitojë besimin e ekonomisë dhe qytetarëve”, tha Dukaj, duke shtuar: „Mali i Zi sot ka një sistem mbrojtjeje të hapësirës digjitale më të fortë se kurrë më parë“.










