MILLATOVIQ KËRKON QË SEANCA E GJYKATËS KUSHTETUESE PËR MARRËVESHJEN ME EMIRATET E BASHKUARA ARABE TË JETË PUBLIKE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kërkuar që seanca e Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohen iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit që konfirmon marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, të jetë e hapur për publikun.

Ai rikujtoi se seanca është planifikuar për 12 mars 2026 dhe theksoi se, për shkak të interesit të madh publik, është e rëndësishme që vendimmarrja të jetë transparente.

Sipas tij, çdo gjyqtar duhet të shprehet veçmas për propozim-vendimin dhe ta arsyetojë publikisht qëndrimin e tij.

Millatoviq theksoi se kjo çështje ka ngjallur interes të madh te opinioni publik dhe te ekspertët, duke përmendur edhe faktin se Gjykata Kushtetuese kishte organizuar një debat publik më 15 dhjetor 2025, ku profesorë të së drejtës nga vendi dhe jashtë tij kishin theksuar disa mangësi juridike të marrëveshjes.

Ai shtoi se transparenca në këtë proces është e rëndësishme për besimin e publikut në institucionet dhe në vendimmarrjen e tyre.

SHARE