PRESIDENTJA E KE: TË PROJEKTOJMË FUQINË TONË PËRBALLË ÇDO AGRESIONI

“Bashkimi Evropian duhet të përgatitet të projektojë fuqinë e tij në mënyrë më aktive dhe nuk mund të mbështetet më te sistemi i vjetër i ‘rregullave ndërkombëtare’ përballë kërcënimeve aktuale”, ky është mesazhi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjatë një konference në Bruksel kërkoi një riorganizim të plotë të bllokut.

“Do të dëgjoni pikëpamje të ndryshme nëse konflikti në Iran është një luftë zgjedhjeje apo domosdoshmërie. Por besoj se ky debat e humb pjesërisht qëllimin, sepse Evropa duhet të fokusohet në realitetin e situatës, ta shohë botën ashtu siç është sot”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Von der Leyen theksoi se populli iranian meriton lirinë dhe dinjitetin, ndërsa paralajmëroi se pasojat e këtij konflikti rajonal janë tashmë një realitet i prekshëm për Evropën.

“Ne mund të shohim tashmë një konflikt rajonal me pasoja të padëshiruara. Efekti i përhapjes është një realitet sot, qoftë në energji apo financa. Ne duhet të jemi të përgatitur të projektojmë fuqinë tonë më me forcë. Për shembull, për të kundërshtuar agresionin dhe ndërhyrjen e huaj me të gjitha mjetet tona, qofshin ato ekonomike, diplomatike, teknologjike apo ushtarake”, tha Ursula von der Leyen.

Pavarësisht krizës në Lindjen e Mesme, Presidentja e Komisionit Evropian siguroi se mbështetja për Ukrainën mbetet e palëkundur.

Ajo u zotua se Bashkimi Evropian do të miratojë kredinë prej 90 miliardë eurosh për Kievin, duke deklaruar se Brukseli do të qëndrojë pranë Ukrainës pavarësisht se çfarë ndodh diku tjetër.

SHARE