SULMI RUS NDAJ NJË NDËRTESE BANIMI NË HARKIV VRET TË PAKTËN 10 PERSONA, THOTË UKRAINA

Të paktën 10 persona u vranë kur Rusia goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe në qytetin verilindor ukrainas të Harkivit me një raketë balistike, thanë zyrtarët lokalë më 8 mars, duke nxitur një thirrje të zemëruar nga presidenti Volodymyr Zelensky që partnerët perëndimorë të veprojnë.

“Që nga rënia e natës, [ekipet e shpëtimit] po çmontojnë rrënojat e një ndërtese banimi në Harkiv pas një sulmi me raketë balistike ruse”, tha Zelensky në Telegram.

“Hyrja u shkatërrua, katet e sipërme të një ndërtese fqinje u dëmtuan… Mund të ketë ende njerëz nën rrënoja. Të gjitha shërbimet e nevojshme janë në vend për operacionet e shpëtimit”.

Zyrtarët thanë se dy fëmijë ishin në mesin e të vrarëve nga sulmi.

AFP-ja tha se gazetarët e saj panë ekipet e shpëtimit duke kërkuar mes rrënojave, ku besohej se disa njerëz kishin mbetur të bllokuar.

Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se 15 persona u plagosën gjithashtu dhe 19 ndërtesa banimi u dëmtuan nga sulmet ruse gjatë natës.

“Duhet të ketë përgjigje nga partnerët ndaj këtyre sulmeve të egra kundër jetës. Rusia nuk i ka braktisur përpjekjet e saj për të shkatërruar infrastrukturën banesore dhe atë kritike të Ukrainës, prandaj mbështetja duhet të vazhdojë”, tha Zelensky, duke u bërë thirrje partnerëve perëndimorë të shtojnë furnizimet me armë të mbrojtjes ajrore.

SHARE