MILATOVIQ TAKOHET ME TË DËRGUARIN E RI AMERIKAN NË MALIN E ZI

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zhvilloi një takim me të dërguarin e ri amerikan në vend, Michael Kizz, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë mes dy vendeve.

Takimi u fokusua te projektet strategjike, investimet dhe ruajtja e partneritetit të ngushtë mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara.

Millatoviq organizoi një drekë pune për Kizz, duke i uruar mirëseardhje dhe një mandat të suksesshëm.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në aleancë të fortë dhe vlera të përbashkëta, duke shprehur besimin se përvoja diplomatike e të dërguarit të ri do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit.

Gjatë bisedës u diskutua vazhdimi i Dialogut Ekonomik, mundësitë për investime të reja dhe zhvillimin e infrastrukturës, si dhe rritja e prezencës së investimeve amerikane në vend. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes u vlerësua si shumë i mirë, me mbështetje të vazhdueshme të SHBA-ve në modernizimin e Ushtrisë së Malit të Zi dhe forcimin e kapaciteteve të saj brenda NATO-s.

Palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi çështjet ndërkombëtare, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë, ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Ballkan dhe përpjekjet amerikane për kufizimin e potencialit bërthamor iranian.

Një tjetër temë ishte edhe ftesa e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, për gruan e presidentit Milena Millatoviq në kuadër të iniciativës globale “Bashkë për të ardhmen tonë: Koalicioni Global për Fëmijët Tanë”, e cila u konsiderua si një shtysë e mëtejshme për marrëdhëniet dypalëshe.

Në fund, Millatoviq dhe Kizz theksuan se partneriteti i fortë, dialogu politik intensiv dhe bashkëpunimi ekonomik mbeten themeli i zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke synuar një bashkëpunim strategjik dhe të qëndrueshëm në të ardhmen.

SHARE