NË MAL TË ZI KONFIRMOHEN RASTET E PARA TË GRIPIT TË SHPENDËVE

Foto: Ilustrim

Në Mal të Zi janë konfirmuar rastet e para të gripit të shpendëve (avijar H5N1) tek pula në dy ferma në komunat Nikshiq dhe Bijello Pole, më 4 mars 2026.

Virusi është zbuluar tek ferma të vogla jo-komerciale me shpendë që lihen të lira në oborr.  

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale me shkallë të lartë vdekshmërie tek shpendët shtëpiakë dhe të egër. Përhapet përmes kontaktit direkt midis shpendëve, pajisjeve të kontaminuara, ujit dhe ushqimit, dhe burimi kryesor janë shpendët migrues të egër.

Sëmundja tashmë është e pranishme edhe në vende të tjera të Europës si Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Rumania dhe Spanja.

Simptomat që mund të tregojnë praninë e virusit përfshijnë:

  • Vdekje të shpejta dhe masive të shpendëve;
  • Dobësi, humbje të oreksit dhe pendë të ngritura;
  • Probleme respiratore, kollë, teshtima, sekrecione nga hunda;
  • Simptoma nervore si dridhje, humbje ekuilibri, paralizë të krahëve ose këmbëve;
  • Rënie në prodhimin e vezëve dhe deformime të vezëve.

Autoritetet apelojnë tek pronarët e shpendëve të raportojnë çdo vdekje ose ndryshim shëndetësor dhe të zbatojnë masa mbrojtëse. Gjithashtu, çdo shpend i egër i gjetur i vdekur duhet të raportohet tek veterineri ose inspektori. Masat e mëtejshme do t’i komunikohen opinionit nga Administrata e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Shërbimeve Fitosanitare.

SHARE