Kos, Foto: Reuters
Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian vjen vetëm pas reformave të plota, deklaroi sot në Tallinn, gjatë Konferencës për Zgjerimin e Bashkimit Evropian 2026, komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Në fjalimin e saj, Kos theksoi se Bashkimi Evropian duhet të ketë mekanizma mbrojtës që sigurojnë që vendet e reja anëtare respektojnë rregullat dhe që integriteti i BE-së të jetë i garantuar, madje edhe 10 apo 20 vite më vonë.
“Ky është shkaku kryesor i shqetësimit të shumë njerëzve në Evropë. Nëse nuk mund të ofrojmë përgjigje bindëse për këtë, do të mungojë mbështetja publike e nevojshme për zgjerimin. Prandaj bëj thirrje që marrëveshjet e ardhshme të pranimit të përfshijnë mekanizma më të fuqishëm mbrojtjeje kundër regresit në përmbushjen e detyrimeve të marra gjatë negociatave të pranimit, në mënyrë që vendet e reja anëtare të vazhdojnë të ruajnë performancën e tyre në fusha kyçe”, theksoi Kos.
Duke pasur parasysh që Mali i Zi punon për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të këtij viti, marrëveshja e tij e pranimit duhet, sipas saj, të jetë e para në një gjeneratë të re të këtyre marrëveshjeve.
“Çdo mekanizëm mbrojtës duhet të mbetet në fuqi aq gjatë sa është e nevojshme, por marrëveshjet tona janë të qarta, ato nuk duhet të krijojnë një anëtarësi me dy shpejtësi për vendet që janë plotësisht të harmonizuara me të drejtën e BE-së. Thjesht, nëse vendet e reja respektojnë rregullat, ato masa mbrojtëse nuk do t’i ndjejnë fare. Megjithatë, nëse ndodh regres në vlera themelore, si demokracia dhe sundimi i ligjit, këto mekanizma duhet të reagojnë fuqishëm. Ne planifikojmë t’i dërgojmë Këshillit një propozim që vendet anëtare të mund ta nisin këtë vendim. Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm për vendet e reja anëtare”, tha ndër të tjera Marta Kos.









