Kos, Foto: Boris Pejović
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat teknike për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti.
Ajo këtë e tha në një intervistë për televizionin N1.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mund të bëjë konkretisht BE-ja për të ndihmuar rajonin, Kos tha se nuk e pranon kritikën se BE-ja nuk ka qenë e suksesshme në procesin e zgjerimit.
Ajo theksoi se dy nga katër vendet kryesore në proces janë nga Ballkani Perëndimor dhe se pas Malit të Zi, edhe Shqipëria mund t’i përfundojë negociatat teknike vitin e ardhshëm.
“Jetojmë në një kohë gjeopolitike të ndjeshme. Mund të ketë paqe në Ukrainë dhe kjo do t’i sjellë Evropës një realitet të ri. Nëse e përshpejtojmë procesin, do t’i shqyrtojmë të gjithë kandidatët, por duhet të ketë përkushtim të qartë. Nuk mjafton vetëm përafrimi i legjislacionit, duhet të shoh dhe të ndiej vullnet politik. Procesi i anëtarësimit nuk është vetëm teknik, por varet edhe nga shtetet anëtare”, tha Kos, duke shtuar se vendet e BE-së e kanë gjithnjë e më të vështirë të kuptojnë regresin në Serbi, veçanërisht në fushën e reformave gjyqësore.
E pyetur për idenë që të gjitha vendet kandidate të anëtarësohen njëkohësisht në BE, Kos u shpreh: “Po të ishte e mundur, do të doja që të gjitha vendet, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor, të hynin së bashku.”
“Por nuk jam magjistare. Nëse ndodhin ndryshime, do ta shqyrtojmë me kujdes secilin vend. Zgjerimi duhet ta bëjë BE-në më të fortë, jo më të dobët, ky është qëllimi që duhet ta arrijmë së bashku”, theksoi Kos.










