NË MAL TË ZI 20-25 FËMIJË SËMUREN ÇDO VIT NGA KANCERI, MUNGESA E BARNAVE VËSHTIRËSON TRAJTIMIN

Foto: Ilustrim

Në Mal të Zi, çdo vit diagnostikohen 20-25 fëmijë me sëmundje malinje, kryesisht kancer të gjakut, leukemi dhe limfoma, njoftoi pediatrja-hematologe Darja Lubiq në Institutin për Sëmundjet e Fëmijëve pranë Qendrës Klinike të Malit të Zi.

Simptomat paralajmëruese përfshijnë zbehtësinë e lëkurës, shënja në vende të pazakonta, dhimbje koke të shpeshta të shoqëruara me të vjella dhe gjak në mukozë ose urinë, të cilat kërkojnë vlerësim mjekësor të menjëhershëm.

Edhe pse kushtet e trajtimit janë relativisht të mira dhe dhoma e trajtimit funksionon si kujdes semi-intensiv, mjekët përballen prej muajsh me mungesë të barnave thelbësore, duke kërkuar nga prindërit që t’i sigurojnë ato jashtë vendit. Barnat e munguar përfshijnë citostatikë që janë pjesë e protokolleve standarde të trajtimit të kancerit tek fëmijët.

Fondacioni “Bëhu human” ofron mbështetje financiare për fëmijët e sëmurë me kancer, duke ndihmuar me shuma nga 3,000 deri në 15,000 euro, në varësi të vendit të trajtimit.

Fondi prej rreth 400,000 eurosh, i mbledhur pas Teletonit 2017, po shpenzohet dhe po kërkohen mënyra të reja për të mbështetur fëmijët e sëmurë.  

Dita Botërore e Fëmijëve të Sëmurë nga Kanceri, që shënohet më 15 shkurt, synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe familjet e tyre, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit modern.

SHARE