Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, duke uruar kryetaren e zgjedhur, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetarët për postet e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani theksoi se kjo legjislaturë duhet të dallojë për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
“Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani.
Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik dhe avancimit të agjendës euroatlantike të vendit.
Në kuadër të këtij procesi institucional, presidentja Osmani i ka uruar Kurtit suksese në udhëheqjen e ekzekutivit dhe theksoi se puna e tij duhet të shërbejë për qytetarët e Kosovës.








