PARLAMENTI EVROPIAN MIRATON LISTËN E VENDEVE TË SIGURTA DHE FORCON RREGULLAT PËR AZILIN

Bashkimi Evropian ka bërë një hap të rëndësishëm në reformimin e politikës së azilit, duke miratuar listën e parë të përbashkët të vendeve të origjinës të sigurta dhe duke forcuar konceptin e “vendeve të treta të sigurta”.

Parlamenti Evropian aprovoi dy ndryshime kyçe në rregulloren e azilit, tani për miratim përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

Sipas ministrit italian të Brendshëm, Matteo Piantedosi, ky është një sukses i madh për Itali dhe një kthesë në menaxhimin e migracionit.

Votimi nxori ndarje politike: PPE, konservatorët dhe e djathta ekstreme votuan pro, ndërsa socialistët dhe liberalët u ndanë brenda grupeve të tyre.

Rregullorja për listën e vendeve të sigurta u miratua me 408 vota pro, 184 kundër dhe 60 abstenime. Lista përfshin Bangladesh, Kolumbi, Egjipt, Indi, Kosovë, Marok dhe Tunizi.

Kërkesat për azil nga këta qytetarë do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, përveç rasteve specifike që kërkojnë vlerësim individual.

Shtetet anëtare mund të shtojnë vende të tjera në listat e tyre, por jo ato të hequra nga lista e BE-së.

Ndryshimet lidhen me Paktin për Migracionin dhe Azilin (prill 2024) dhe disa dispozita do të zbatohen para hyrjes së plotë në fuqi në qershor 2026.

Kërkesat për azil mund të shpallen të papranueshme nëse aplikanti ka lidhje me një vend të tretë të sigurt ose ka kaluar atje, dhe ankesa nuk pezullojnë automatikisht vendimet për riatdhesim.

Reforma synon përshpejtimin e procedurave, filtrimin më të rreptë të kërkesave për azil dhe bashkëpunimin me vende të treta, por kritikët paralajmërojnë për kufizim të të drejtës për mbrojtje ndërkombëtare dhe zhvendosje të përgjegjësisë jashtë BE-së.

SHARE