Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj theksoi se sot qasja në internet nuk është luks, por një parakusht themelor për pjesëmarrje aktive në shoqërinë moderne.
„Përmes iniciativës WiFi4WB, ne fuqizojmë infrastrukturën digjitale në nivel lokal, zvogëlojmë hendekun digjital dhe krijojmë bazat për administratë publike të përshtatur për qytetarët,“ tha Dukaj.
Ai këtë e bëri të ditur në ceremoninë zyrtare të (kick-off), e cila shënoi nisjen e vendosjes së rrjetave falas Wi-Fi në 24 komuna në Mal të Zi.
Kjo ngjarje është pjesë e ceremonive të koordinuara të nisjes së iniciativës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Iniciativa WiFi4WB është pjesë e projektit më të gjerë EU4Digital, i cili financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë, dhe implementohet nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike.
Ministri Dukaj theksoi se iniciativa WiFi4WB përbën një hap të fuqishëm drejt transformimit digjital të vetëqeverisjes lokale dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në kuadër të ceremonisë u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi midis Komunës së Danillovgradit dhe GIZ-it, duke formalizuar bashkëpunimin për instalimin, mirëmbajtjen dhe operimin afatgjatë të rrjetit WiFi4WB në Mal të Zi.
Pas nënshkrimit, u aktivizua simbolikisht hot-spot-i i parë Wi-Fi, duke shënuar zyrtarisht fillimin e aplikimit të iniciativës në terren.
„Ministria e Administratës Publike është fuqimisht e përkushtuar për forcimin e kapaciteteve të vetëqeverisjeve lokale, pasi ato janë pika e parë e kontaktit të qytetarëve me administratën publike. Përmes mbështetjes së digjitalizimit dhe zgjidhjeve moderne teknologjike, ne vendosim bazat për një administratë publike efikase, të përshtatur për qytetarët,” deklaroi Dukaj.









