Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi sot nuk kanë votuar mbi propozimin që Predrag Krstonijeviq të zgjidhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm kanë miratuar rendin e ditës për seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit.
Seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit, në të cilën ishte parashikuar votimi i dytë për propozimin që Predrag Krstonijeviq të zgjidhet gjyqtar kushtetues, e ka thirrur kryetari i Parlamentit, Andrija Mandiq, me kërkesë të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Rendi i ditës për seancën e sotme u miratua me votat e 50 deputetëve.
Mandiq tha se 50 deputetë janë më shumë se të mjaftueshëm për të zgjedhur një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne miratuam rendin e ditës, ndërsa për këtë propozim do të deklarohemi më vonë. Do të informoheni me kohë për vazhdimin e seancës,” tha Mandiq.
Pas kësaj, kryetari i Parlamentit dha një pushim për të vazhduar seancën e parë të jashtëzakonshme.
Millatoviq propozimin që Krstonijeviq të zgjidhet gjyqtar kushtetues e dërgoi në Parlament më 3 dhjetor. Krstonijeviq në raundin e parë të votimit, më 31 dhjetor, nuk mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve.
Atëherë e mbështetën 25 deputetë nga 45 që votuan, ndërsa 20 abstenuan.
Në raundin e dytë, për zgjedhjen e një gjyqtari kushtetues nevojitet një mbështetje tre të pestash, dmth të paktën 49 vota.









