Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka thirrur për nesër, (e mërkurë) nga ora 12:00 seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes thuhet se vendimi u mor pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit çka i hapi rrugë thirrjes së seancës konstituive.








