MILLATOVIQ: DITË PUSHIMI TË DIELAVE DHE GJATË FESTAVE SHTETËRORE, E DREJTË KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dorëzuar në Parlament një propozim për ndryshimin e Kushtetutës, duke sugjeruar plotësimin e nenit 64 për të siguruar që punonjësit të mos punojnë të dielave dhe gjatë festave shtetërore, me mundësinë e parashikimit të përjashtimeve ligjore për sektorët ku kjo është e nevojshme për mbrojtjen e interesit publik.

Millatoviq argumenton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshëm një nen të Ligjit për Tregtinë të vitit 2019 ka krijuar pasiguri ligjore dhe sociale për punonjësit, veçanërisht në sektorin e tregtisë, që punëson rreth 20% të fuqisë punëtore dhe kontribuon me 14% në PBB.

Ai nënvizon se kjo është një masë për të siguruar drejtësi, barazi dhe stabilitet ligjor për punonjësit, duke u bazuar edhe në përvojën gjermane, ku të dielat dhe festat konsiderohen ditë pushimi me përjashtime të përcaktuara ligjërisht.

Propozimi vlerësohet si një mënyrë për të mbrojtur të drejtat e punonjësve, për të parandaluar pasigurinë juridike dhe për të garantuar një standard minimal të punës së dinjitetshme, duke vendosur punën, familjen dhe shëndetin si kategori kushtetuese.

SHARE