Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në një takim të sotëm midis përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe ekzekutiv, u dakordësua vazhdimi i veprimeve sistematike kundër krimit të organizuar, korrupsionit të lartë dhe pastrimit të parave.
Si hap i parë konkret, do të formohet një Grup Punues i cili do të hartojë udhëzime për kontrollin e zbatimit të masave mbikëqyrëse, njoftoi Kabineti i Kryeministrit.
“Gjatë një bisedimi konstruktiv, i cili u mbajt me iniciativë të Kryeministrit, u konstatua se me nxjerrjen e vendimeve gjyqësore kundër zyrtarëve më të lartë publikë dhe drejtuesve të grupeve të organizuara kriminale janë bërë përparime të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar, por se për një përgjigje institucionale edhe më efektive është e nevojshme një bashkëpunim më intensiv i organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Takimi u organizua me iniciativë të Kryeministrit Millojko Spajiq dhe morën pjesë kryetarja e Gjykatës së Lartë Vallentina Pavlliçiq, ministri i Drejtësisë Bojan Bozhoviq, ministri i Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq dhe drejtori i Policisë Llazar Shqepanoviq.
Qëllimi është të rritet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe të forcohet përgjigja ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Ky hap vjen pas shqetësimeve mbi rastin e Millosh Medenica, i cili pas dënimit prej 10 vjetësh e dy muajsh në janar nga Gjykata e Lartë, nuk u gjet në adresën e banimit dhe për të është lëshuar urdhër arresti.
Grupi punues do të sigurojë që zbatimi i masave mbikëqyrëse të jetë më i efektshëm dhe në përputhje me kuadrin ligjor, duke adresuar edhe shqetësimet e publikimit dhe interesit të medias mbi funksionimin e institucioneve dhe integritetin e procedurave gjyqësore.









